SHARE

Të nderuar kolegë,

Në kuadrin e FAMA – “Festivali i Arkitekturës Moderne Shqiptare / Festival of Albanian Modern Architecture”: SHASH dhe MK, ka nderin t’Ju ftojë të bëheni pjesë në një event, organizuar në dhënien e çmimit “Mjeshtër në Arkitekturë” për tre profesorët e nderuar: Emin Riza, Aleksandër Meksi dhe Pirro Thomo, si tre arkitektët restauratorë me kontribute e vlera të mëdha në studimin dhe restaurimin e trashëgimisë së Monumenteve tè Arkitekturës në Shqipëri.

Emin Riza, Aleksandër Meksi dhe Pirro Thomo, janë figurat më të vyera të kulturës shqiptare të evidentimit, hulumtimit, mbrojtjes, resaturimit dhe publicizimit tè kryeveprave shekullore prezente në vendin tonë dhe në trojet shqipfolëse. Çmimi i cili i jepet nga Shash në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, ka për qëllim vlerësimin e kontributit të tyre të gjatë në studimet e ndryshme, njohjen e gjeneratave të reja me këtë kontribut si dhe sensibilizimin kombëtar mbi ruajtjen e vlerave historike e monumentale të trashëguara nga gjeneratat e shkuara si pasuri e jashtëzakonshme.

Takohemi me:

EMIN RIZA, ALEKSANDËR MEKSI DHE PIRRO THOMO

SHASH | FAMA

Më datë 29 Shtator 2020, ora 18:00

ATRIUMI I HAPUR I MUZEUT KOMBËTAR

Tiranë

BIOGRAFI

ALEKSANDËR MEKSI

Aleksandër Meksi lindi më 1939. Ai është studiues i arkitekturës së kultit, inxhinier e restaurator. Gjatë karrierës së gjatë akademike ka fituar tituj të shumtë dhe grada shkencore si Kandidat Shkencash, Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor, Doktor Shkencash e Profesor. Në 1960 u diplomua në degën e inxhinierisë së ndërtimit në UT. Në vitet 1960 deri më 1962 punoi në ndërtimin e HEC-it të Shkopetit, në vitet 1962 deri më 1965 ishte punonjës shkencor në Grupin e Kulturës Materiale të Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë. Nga viti 1965 deri më 1993, e më pas prej 1997 e në vijim punoi si punonjës shkencor e specialist restaurator në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Ka ndjekur specializime në Universitetin e Romës (1965) e në Universitetin e Marburgut (1989–1890). Gjatë veprimtarisë si historian i arkitekturës ka botuar studime të veçanta dhe përgjithësuese për monumentet e kultit të krishterë e atij islamik dhe i ka bërë të njohura arritjet e studimeve në shumë konferenca e simpoziume kombëtare e ndërkombëtare. Si restaurator ka hartuar dhe udhëhequr shumë ndërhyrje restauruese në monumentet e kultit, por gjithashtu ka përçuar përvojën e tij me konsultat, udhëheqjen dhe botimet e tij për kualifikimin e brezit të ri të punonjësve.

Ka qenë deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë gjatë periudhës 1991–2001, si dhe nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë prej prillit 1991 deri më prill 1992 dhe Kryeministër i Republikës së Shqipërisë në vitet 1992 deri më 1997.

EMIN RIZA

Emin Riza lindi më 1937. Ai është studiues i arkitekturës popullore, inxhinier e restaurator. Profesor Emin Riza zotëron mban titujt dhe gradat shkencore Kandidat Shkencash, Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor, Doktor Shkencash e Profesor. Në 1962 u diplomua inxhinier ndërtimi. Në vitet 1962 deri më 1965 ishte punonjës shkencor në Grupin e Kulturës Materiale të Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë, më pas nga viti 1965 deri në 1993 dhe 1997 e në vijim punonjës shkencor e specialist restaurator në Institutin e Monumenteve të Kulturës, ku ka kryer dhe detyra drejtuese, si përgjegjës sektori, nëndrejtor (prej vitit 1985 deri më 1988) e drejtor (prej vitit 1988 deri më1993), kryeredaktor i revistës Monumentet. Në vitet 1993 deri më 1997 ishte njëkohësisht sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe kryeredaktor i revistës “Studia Albanica”. Ka botuar një varg monografish e artikujsh mbi arkitekturën popullore të Shqipërisë e të Kosovës, si dhe restaurimin. Ka marrë pjesë në shumë konferenca e simpoziume kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i shumë projekteve dhe drejtues i punimeve të restaurimit. Ka përgatitur dosjet për cilësimin e Gjirokastrës e të Beratit “Pasuri Botërore” prej UNESCO-s; prej vitit 2003 është ndërlidhës zyrtar i RSH me UNESCO-n për pasuritë Botërore; anëtar i CIF (Qendra Ndërkombëtare për Formimin Profesional) të ICOMO-s, e gjithashtu anëtar i Këshillit Kombëtar të Restaurimit që prej krijimit të tij në vitin 2004. Ka qenë deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në legjislaturën III, prej 1.07.1996 deri më 15.05.1997.

PIRRO THOMO

Pirro Thomo lindi më 1939. Është studiues i arkitekturës së kultit dhe asaj popullore, inxhinier restaurator. Mban titujt dhe gradat shkencore Kandidat Shkencash, Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor, Doktor Shkencash, Profesor. Në 1962 u diplomua në UT për inxhinieri ndërtimi në UT. Në vitet 1962 deri më 1975 ishte punonjës shkencor në Grupin e Kulturës Materiale të Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë; në vitet 1975 deri më 1980 ishte drejtues i Ateliesë së Monumenteve të Kulturës në Korçë; në vitet 1980 deri në 1991 ishte punonjës shkencor në Institutin e Kulturës Popullore; në vitet 1991 e deri më 1994 punoi si profesionist i lirë, në vitet 1994 deri më 2000 punonjës në Eforinë IX të Monumenteve Bizantine të Selanikut, në Greqi; në vitet 2000 deri më 2010 ishte përgjegjës i Bërthamës së Restaurimit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë; e së fundmi prej 2010 e vijim në profesion të lirë.

Profesor Pirro Thomo është autor i një numri monografish e artikujsh mbi arkitekturën popullore (fshatare e qytetare), ndërtimet e kultit (kishat) dhe restaurimin. Ka qënë pjesëmarrës në shumë konferenca e simpoziume kombëtare e ndërkombëtare, autor i shumë projekteve dhe drejtues i punimeve të restaurimit në Shqipëri dhe në qendra të ndryshme të Greqisë (Mali Atos, Selanik etj.). Është anëtar i Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, kryeredaktor i revistës Monumentet dhe pedagog në kursin pasuniversitar për Master Profesional në Restaurim pranë Fakultetit të Arkitekturës e Urbanistikës të Universitetit Politeknik të Tiranës.

3 COMMENTS

  1. http://gazetashqiptare.al/2019/02/17/kisha-e-shen-kollit-ne-manastirin-e-mesopotamit-falsifikime-zhdukje-e-fshehje-fazash-historike-dhe-plagjiature/
    Nje pasqyre e ” madheshtise” se personave qe jeni duke propozuar per shkaterimin e me te vyerave monumente te periudhes bizantine ne vendin ton.
    Ka aq shume material, si ne projekte gjoja restaurimi ashtu edhe ne prekjen, perseri gjaja restauruese, sa, ne vend te nominimit si super kontribues ne te mire te trashegimise te kalohej ne ndjekje penale per shkaterime me vetdije te monumenteve.
    Duke marre inisiativa te ketij niveli, SHASH do te qe mire qe ta hapte paraprakisht, si rubrike me nje kerkese per dhenia opinioni ndaj zoterinjve. Kjo pasi keta, per mua kan qene e jane protagonist ne:
    1. Prishja kriminale e kishes se Shen Merise, Labove e Kryqit.Kemi dhene te gjithe pasqyeren e masakrimit te ketij monumenti fantastik, duke e kthyer ne nje objekt artificial e te fallsifikuar.Me pamjen aktuali qesharake si te ishte nje maket kartoni e polisteroli.
    2.Restaurimi skandaloz ne Kishen e Shen Merise ne Pehkepi te Gjirokastres.Demtime drastike e te dhenave arkitekturore, shdukje e elementeve origjinal dhe fallsifikim i fazave historike te monumentit.
    3. Mos njohje dhe studim i ceket per arkitekturen e Kishes se Shen Kollit Mesopotam. Perpilim projekti restaurues ndaj ketij monumenti duke dhene rekomandime siandaloze, me pasoja shkaterim te vlerave dhe aplikim te nderhyrjeve te cilat tjetersuan e fshine elemente e detajet origjinal arkitekturor.Shkateruan faza te cilat datonin qe nga shek.XIII-XIV.
    E tere veprimtarija e zoterinjve, per rastet ne fjale ka rezultuar me demtimin dhe fallsifikimin e elites se arkitektures bizantine ne vendin ton.Ka asgjesuar e sakatosur ate cfar ne kishim si me te vyera e me te rralla, deri edhe unikale per te gjithe hapsiren e kultures bizantine boterore.
    Inisiativa ne fjale nga Ju, nuk ben gje tjeter vec se kamuflon
    dhe anashkalon nje realitet siandaloz i cili nuk ka asnje gje te perbashket me kualitetet qe radhiten ne materialin promovues tuajin.
    Mos analizimi dhe marja parasysh i te dhenave qe une po ju percjell, do beje qe te pajtoheni e te beheni pjese e masakres qe radhita me siper.
    Pershendetje e pune te mbare.
    Dr.Arkitekt- Restaurator
    Reshat GEGA.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here