SHARE

Arkitekti i njohur Hajdar Kovaçi u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme, pas një beteje prej thuajse 3 javore me Covid-19.

SHOQATA E ARKITEKTËVE TË SHQIPËRISË (SHASH) dhe ASOCIACIONI I ARKITEKTËVE TË KOSOVËS (A-A-K), në emër të anëtarëve të tyre, shprehin ngushëllime për familjarët dhe të afërmit e të ndjerit, për këtë humbje të madhe.

Arkitekti Kovaçi lindi në Durrës në vitin 1946. Shkollën fillore dhe atë të mesmen e kreu në qytetin e lindjes, ndërsa studimet e larta i vazhdoi në Tiranë, në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Kur Kovaçi ishte në vitin e tretë të studimeve, po në ate fakultet u hap dega e Arkitekturës, në të cilën konkuroi dhe fitoi mes 70 studentëve pjesëmarrës duke qene nga brezi i pare i arkitektëve të diplomuar në Shqipëri.

Në vitin 1972 emërohet arkitekt në qytetin e Bajram Currit, e më pas emërohet në Durrës, në vendlindjen e tij. Viti 1976 e gjen në Durrës ku krijon familjen e tij, pas martesës me arkitekten e dëgjuar Magdalena Furxhi. Pas viteve të diktaturës punoi në studion e tij duke u marrë me projekte të ndryshme. Së bashku me të tjerë arkitektë hapin një studio projektimi të emërtuar studio “Uni Project”.

Arkitekti Hajdar Kovaçi ka në CV e tij një mori me objekte bashkëkohore të ndërtuara sidomos në qytetin e Durrësit, si godina e Prefekturës në qendër të qytetit, Restorant Pranvera, objekte banimi etj.

Zoti Kovaçi ka qenë pjesë e Kryesisë të parë themeluese të SHASH të përbërë prej 7 anëtarësh. Në kryesi kishte personalitete të spikatura, si arkitektet Petraq Kolevica Agron Lufi, Spiro Bakallbashi, Edgar Frashëri, etj.
Arkitekti Hajdar Kovaçi ka gëzuar një reputacion dhe respekt mbarëqytetar për vlerat e tij në qytetin e Durrësit. Për vite me rradhë ka qenë në detyra të ndryshme si zv/president i Dhomës së Tregtisë, Industrisë së qytetit dhe për dy mandate, anëtar i Këshillit Bashkiak, pjesëtar i Këshillit Rregullues të Territorit, anëtar i Klubit Rotarian të Shqipërisë në Tiranë, në vitin 2000 u zgjodh president i Klubit Rotarian në Durrës, etj.

Burimi: Marrë me shkurtime nga një shkrim i durreslajm.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here