Saturday, April 27, 2024

Shoqata e Arkitëktëve të Shqipërisë është themeluar në fillim të vitit 1991, kur në Shqipëri sapo kishin nisur lëvizjet e forta transformuese.

Në bazë të kërkesës së një grupi arkitektësh themelues, drejtuar Ministrisë së Ndërtimit, më datë 16.02.1991, dhe me Urdhër Nr. 3, datë 25.06.1991 të Ministrit të Ndërtimit, Zotit Emin Musliu, u njoh krijimi i Shoqatës së Arkitëkteve të Shqipërisë (kjo konform legjislacionit të atij momenti).

Mbledhja themeluese miratoi Aktin e Themelimit dhe Statutin e përgatitur nga grupi i arkitëktëve nismëtare, me në krye arkitektin Spiro Bakallbashi.

Në mbledhje u zgjodhën organet drejtuese. Kryesia prej 7 anëtarësh dhe Kryetar i parë i Shoqatës u zgjodh arkitekti Petraq Kolevica. Në kryesi kishte personalitete të spikatura, si arkitektet Agron Lufi, Spiro Bakallbashi, Edgar Frashëri, Hajdar Kovaci, etj.

Shoqata e Arkitëktëve të Shqipërisë, shkurtimisht u quajt SH.A.SH, funksionoi e funksionon si një subjekt juridik i pavarur, pa qëllim fitimi, në bazë të ligjit Nr. 7850, datë 29.07.1994, Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë dhe ligjit Nr. 8781, datë 03.05.2001, Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 7850, datë 29.07.1994, Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, dhe ushtron aktivitetin në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Sigurisht që fillimi i viteve ’90, si një kohë transformimesh të vrullshme, arkitektët i modeloi me shumë karshi lëvizjeve individuale se sa një lëvizjeje kolektive.

Në vitin 1996, Shoqata e Arkitektëve iu nënshtrua zgjedhjeve të reja. Kryetar i ri i Shoqatës u zgjodh arkitekti Mauricio Bega. Disa nga anëtarët e kryesisë qënë: Ihsan Prushi, Spiro Bakallbashi, Agron Lufi etj.

Megjithëse përgjatë viteve ’90 aktiviteti i Shoqatës nuk qe fort i spikatur, ajo ishte nga të paktat shoqata profesionale e kulturore aktive.

Në vitin 2001 pati një lëvizje të fortë për ta riorganizuar Shoqatën, nga një grup arkitektesh,si Arben Bicoku, Besnik Aliaj, Eldar Celkupa, Marin Bicoku, etj.

Në zgjedhjet e vitit 2001 zgjidhet kryetar arkitekti Agron Jano, nënkryetar, Sokol Imeraj dhe Sekretar i Përgjithshem Besnik Aliaj. Anëtarë të tjerë të kryesisë ishin Arben Biçoku, Arben Meksi, Gëzim Jazxhi, Klaud Manehasa, Fatlinda Murthi, Eldar Celkupa. Ishte koha kur Shoqata filloi të ndjehej shumë më tepër aktive. U arrit organizimi i disa ekspozitave profesionale, u realizuan mjaft aktivitete e konferenca me fokus profesionin e arkitektit.

Shoqata arriti të jetë influente në shkalle vendi. Në vitin 13 Korrik 2002 Shoqata firmosi me Ministrin e Ndërtimit të kohës, zotin Fatmir Xhafa, një marrëveshje bashkëpunimi. Falë kësaj marrëveshjeje, Shoqata filloi të ftohej në mbledhjet e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRTRSH), u bë pjesë e rregullt e Sekretarisë Teknike të KRRTRSH. Shoqata pati përfaqësim në Komisionin e dhënies së Licencave në Ministrine e linjes.

Në frymën e Marrëveshjes së Bashkëpunimit të firmosur me Ministrinë, u firmosën marrëveshje bashkëpunimi dhe me një numër Bashkish, përmendim këtu Durrësin, Korçën, Vlorën, etj.

Në negociatat midis Kryetarit të Shoqatës, Agron Jano dhe Kryeministrit të kohës, Fatos Nano, Shoqata kërkoi që qendrat e qyteteve kryesore të Shqipërisë të ngriheshin kundrejt zhvillimit deri në paisjen me plane rregulluese të zhvillimit të qendrave.

Në vitin 2002 Shoqata u anëtarësua në Bashkimin e Shoqatave të Arkitektëve të Mesdheut (UMAR), ku spikati si një nga protagonistët.

Pas vitit 2003 në Shqipëri filloi një fazë konkursesh ndërkombëtare në urbanistikë e arkitekturë. Në këto konkurse, Shoqata përfaqesohej nga arkitektë të saj të spikatur.

Në praktikën e Shoqatës, në këtë kohë filluan të hyjnë dhe mbledhjet e zgjeruara të Kryesisë, ku veç kryesisë dhe kryetarëve të degëve ftoheshin sipas problematikave që trajtoheshin dhe arkitekte me aktivitet të spikatur.

Në vitin 2005, Shoqata realizoi një botim përfaqësues, ku pasqyrohej si aktiviteti i Shoqatës, po ashtu dhe punët kryesore projektuese të rreth 70 studiove dhe arkitektëve operative, anëtarë të Shoqatës. Shoqata u bë një faktor negocimi dhe në problematikën e legjislacionit. Në lëvizjen reformuese të legjislacionit që filloi në vitin 2006, Shoqata u përfaqesua me disa urbanistë e arkitekte në tryezat për pergatitjën e dokumentit të politikave, e më pas në ato të përgatitjes së ligjit të planifikimit hapësinor, duke qënë një nga faktorët determinante.

Ndër aktivitetet e shumta të Shoqatës qe dhe përpjekja për respektimin e figurave të shquara të komunitetit të arkitektëve. Kjo solli dekorimin nga Presidenti i Republikës së arkitektëve Besim Daja (2002, me rastin e 80 vjetorit) dhe Petraq Kolevica (2004 me rastin e 70 vjetorit) me Urdhërin Mjeshtër i Madh.

Me këmbënguljen e Shoqatës, Këshilli Bashkiak i Tiranës emërtoi rrugë të Tiranës me emrat e arkitektëve Sokrat Mosko, Valentina Pistoli.

Në zgjedhjet e zhvilluara në vitin 2008, Kryetar i Shoqatës zgjidhet Artan Shkreli, Nënkryetar Arben Biçoku, Sekretare e Përgjithshme Klodiana Emiri. Anëtarë kryesie u zgjodhën Agron Lufi, Spiro Bakallbashi, Ihsan Prushi, Arben Meksi, Gjergji Papavasili,

Roli shoqëror i Shoqatës në këtë periudhe u shtua akoma më shumë.

Në vitin 2010 Shoqata u antarësua në Bashkimin Ndërkombëtar të Arkitektëve (UIA).

Është për tu përmendur qëndrimi i Shoqatës së Arkitektëve në raport me mbrojtjen nga prishja të ndërtesës së Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës (Piramida), ku Shoqata u shpreh në unison për ruajtjen e mosprishjen e asaj ndërtese, pavarësisht qëndrimit të Kryeministrit dhe maxhorancës qeverisëse të kohës, të cilet donin ta shembin, madje miratuan dhe një ligj për këtë gjë.

Roli i Shoqatës erdhi duke u rritur si në vlerësimin dhe dhënien e licencave profesionale, po ashtu në vendmimarrjet për konkurset projektuese, në pjesmarrjen në këshillet e rregullimit të territorit në njësitë e qeverisjes vendore, etj.

Edhe në raport me problemet legjislative Shoqata u tregua mjaft aktive, duke marrë disa herë pjesë në debatet që bëheshin në komisionet e ndryshme parlamentare.

Në zgjedhjet e vitit 2012 u zgjodh Kryetar arkitekti Agron Jano, Nënkryetar Arben Biçoku, Sekretare e Përgjithshme Denada Veizaj. Anëtarë kryesie u zgjodhën Agron Lufi, Arben Meksi, Gjergji Papavasili, Petrit Hazbiu, Ervin Taçi, Adelina Greca, Petri Ilo, Andrea Maliqari, Florian Nepravishta, Maksim Mitrojorgji, Artan Shkreli, Armand Vokshi. Shoqata dukshëm tregoi një shtim të intensitetit të aktivitetit të saj. Humbja e parakohëshme e jetës së Kryetarit të saj, arkitektit Agron Jano, kërkoi zëvendësimin e Kryetarit, dhe ky rol në vitin 2013 iu ngarkuar arkitektit Maksim Mitrojorgji.

Në vitin 2014 Shoqata ribëri dhe firmosi Marrëveshje me Ministrinë e Zhvillimit Urban. Objektivat kryesore të marrëveshjes do te ishin puna për përmirësimet e duhura ligjore, bashkëpunimi për licencimin e arkitektëve dhe urbanistëve, si dhe përpjkejtet e përbashkëta për formimin e Urdhërit të Arkitektëve.

Shoqata bëri disa aktivitete të spikatura, ku përmendim organizimin e një ekspozitë të arkitektit Kole Idromeno në vitin 2013, pranë Muzeut Historik Kombëtar; organizimin e promovimit të mjaft librave mbi arkitekturën, urbanistikën, si dhe trashëgiminë, me autore, Skënder Luzati, Pirro Thomo, Maksim Mitrojorgji, Armand Vokshi, Arben Meksi, Pirro Stefa; organizminin e konferencës kombëtare Qyteti midis zhvillimit dhe kujteses, në vitin 2014; organizimin e konkursit Arkitektët e rinj për zhvillimin urban, për arkitektët nën moshën 30 vjecare, në vitin 2015; qe pjesëmarrëse në festimet për 50 vjetorin e krijimit të Institutit të Monumenteve të Kulturës, në vitin 2015; qe pjesëmarrëse aktive (në nivelin e kuratorëve dhe të pjesëmarrësve) në ekspozitën EVOKED, me fokus trajtimin e ndërtesave të pambaruara në zonat informale pranë bregdetit; etj.

Në zgjedhjet e vitit 2016 u zgjodh Kryetar arkitekti Armand Vokshi, Nënkryetare Loreta Çapeli, Sekretare e Përgjithshme Ani Panariti. Anëtare të kryesisë u zgjodhën Eled Fagu, Denada Veizaj, Kreshnik Merxhani, Ervin Taçi, Klaud Manehasa, Altin Premti, Sokol Dervishaj, Frida Pashako, Flamur Kuçi, Gjergj Ruci, Matilda Pando.

Nëse do duhej të përmendim tiparet dalluese, Shoqata ka qëndruar fort, në respektim të statutit, në karakterin e saj profesional dhe kulturor. Ajo ka qënë në vijimesi në mbrotje të interesave të anëtarëve të saj, duke e realizuar me dinjitet përfaqësimin e tyre. Është nga të paktat shoqata me një jetëgjatësi kaq të madhe dhe me një vazhdimësi aktive. Shoqata ka qënë e vëmendshme në raport me qarkullimin e elitave drejtuese, duke u prezantuar sot me 6 emra të spikatur, si kryetarë të saj. Ndërkohë vërehet që edhe në drejtim të përfaqësimit gjinor, Shoqata ka ardhur duke pasur gjithnjë e më tepër vemendje, duke patur sot në kryesi një numër të spikatur arkitektesh të shquara (nga 3 drejtuesit kryesor, sot 2 janë arkitekte). Shoqata ka ditur të jetë ekuidistante nga forcat politike në vend, duke iu shmangur plotësisht rrezikut të politizimit të saj.