SHARE

Kolegë të nderuar, me keqardhje të madhe ju njoftojmë sot lajmin e papritur të humbjes së arkitektit të njohur, “Mjeshtër në Arkitekturë”, z. Maks Velo.

U largua sot një figurë poliedrike intelektuale, një artist e arkitekt, i cili me të gjithë krijimtarinë e tij hodhi baza të modernes në Arkitekturën Shqiptare.

Prej kohësh ai ishte bërë natyrshëm figura publike profesionale më interesante në vend,  përfaqësues  i fortë i mendimit në arkitekturë. Projektet e tij në vitet  ‘60-‘70 të shekullit të kaluar, u bënë fillesa të një arkitekture moderne e inovative, që kundërshtonte fort formalizmat neoklasike të regjimit të atëhershëm.

Cilësia e veçantë e këtyre veprave, si dhe oponenca mendore që bënte kundër ngushtësisë së mendimit gjatë diktaturës  komuniste, e bënë që të kalonte një pjesë të gjatë të jetës në izolim.  Për këto arsye të forta, Shoqata e Arkitektëve të Shqipërise, në vitin 2019, e vlerësoi si arkitektin e parë që mori Çmimin “Mjeshtër në Arkitekturë”. 

Kontributi i i tij në arkitekturë është atipik në raport me kohën dhe vendin ku janë ndërtuar veprat me  projektet e tij.  Kjo veçanti e veprave të tij do të bëhesh edhe guri i rëndë, të cilin regjimi ja ngarkoi mbi shpinë duke e përndjekur vite me rradhë. Sasia e tyre nuk është e madhe, pasi në vitin 1973 u përndoq e u burgos nga regjimi, për kualitetin “ndryshe” të arkitekturës  e artit të tij.

Trashëgojmë sot vepra të  të rëndësishme të projektuara prej tij ose në bashkëpunim me arkitektë të tjerë, si:

– Parku i Madh i Liqenit, Tiranë dhe shtëpizat e vogla shlodhëse në të.

– Shkolla 8 vjeçare “Emin Duraku”, Tiranë

– Objekti i banimit pranë Hotel Tiranës (pallati me kube)

– Godina e ish-ATSH, Tiranë

– Ish-hotel “Arbana”, Tiranë

– Kinemaja e Laprakës, Tiranë

– Kinema “Pionieri”, Tiranë

– “Uzina Mekanike”, Peshkopi, etj.

Maks Velo, me dinamizmin dhe thellësinë e mendimit që kishte për arkitekturën, urbanistikën, artin, por edhe me temat e ndryshme kulturore në përgjithësi, do të jetë një model i mirë për secilin arkitekt dhe intelektual në vendin tonë.  Maksi përherë ishte nga të parët që perceptonte dhe që nuk nguronte asnjëherë të fliste për tema të nxehta dhe  i shprehte kudo që i jepej mundësia. Në fjalën e fundit që mbajti në Konferencën “Share”, kërkoi që debati mbi arkitekturën në Shqipëri të ishte më i gjallë. Ai vete ishte një pasionant i arkitekturës dhe nuk mungonte në asnjë aktivitet apo ekspozitë që ne organizonim, ishte nga të parët që vinte në rreshtin e parë. SHASH, këtë vit,  po priste të realizonte me të, e së bashku me Asocacionin e Arkitektëve të Kosovës, ekspozitën në Prishtinë, kushtuar  veprës së tij dhe të Petraq Kolevicës.  Shprehim keqardhje që ai sdo të mund të jetë në të, në një aktivitet që ai e dëshiroi dhe e priste  me shumë kënaqësi.

Maks Velo ka qënë gjithmonë, në çdo diskutim, tejet largpamës dhe mjaft i saktë në qëndrimet e tij përsa i përket mendimeve mbi trashëgiminë arkitektonike, vlerat kulturore, si dhe mbi urbanistikën e qyteteve tona. Rasti i shprehjes në mbrojtje të Teatrit Kombëtar së fundmi, apo edhe çdo prononcim e dalje e mëhershme publike e tij, ka qënë tejet e  pastër, e pakontaminuar nga poltika, përfitimi ekonomik apo nga çdo ideologji  tjetër,  përveçse prej  të mirës publike dhe të konservimit të vlerave të qyteteve tona. Mendojmë se do duhet akoma shumë kohë që të kemi mes nesh një figurë të tillë kaq brilante, një artist e arkitekt të këtij dimensoni dhe një zë të fuqishëm, të cilin çdokush me endje e dëgjonte.

Në emër të Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë ngushëllojmë përzemërsisht të gjithë të dashurit dhe miqtë e tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here