SHARE

GOLEMI

― City Landscape ―

Realiteti artistik shqiptar, në rrugëtimin e tij të gjatë, la pak hapësirë për artistët e ndryshëm. Ndërtuar nën një matricë të fortë akademike, që prej viteve ’30 dhe përforcuar akoma më shumë përgjatë gjithë gjysmës së dytë të shek. XX, në të, vëmendja për artistë të ndërtuar në disiplina të tjera ishte gjithnjë e pakët. Piktori Arben Golemi është pjesë e këtij përjashtimi. I formuar si arkitekt në Universitetin Politeknik ― e më pas për Teori Arti në Akademinë e Arteve ― ai do ta prezantonte veten si piktor në disa ekspozita personale në qytetin e tij të lindjes, Berat, duke filluar nga vitet ’80 e më pas përgjatë gjithë viteve ’90, përkrah emrave më të rëndësishëm të pikturës shqiptare në shumë aktivitete, sa brenda e jashtë vendit.

Struktura estetike e veprës së tij nisi nga “gurët e themelit” të vendlindjes, ku linja arkitektonike tradicionale e qytetit përqaset gjithnjë drejt një ekspresionizmi formal, pa e humbur identitetin e vet. Si e tillë, ajo do të përforconte vetveten në dekadat në vazhdim duke eksperimentuar edhe në tema e forma të tjera.

Të ndërtuara në cikle të ndryshme, mes arkitekturës së qytetit të Beratit, asaj vertikale të New Yorkut, tek sipërfaqet baroke të muzeut të Luvrit e deri tek kapërthimi i pyjeve kromatike, Golemi dallohet për trajtimin pastoz e ekspresiv, theksimin e strukturës së subjektit dhe forcën e ngjyrës floureshente. Në të gjitha këto, gjuha piktorike e Golemit huazonte pa drojë në një format personal, herë ekspresionizmin klasik, apo atë abstrakt, e herë energjinë e individualitetit të Van Gogut.

Arben Golemi është një vëzhgues i kujdesshëm i strukturës. Si një tentativë për të zbërthyer karakterin estetik të formës, ai e projektoi atë ndër vite, sa mbi sipërfaqet arkitektonike tradicionale, aq dhe tek ato baroke apo post-industriale. Të zbrazëta nga prezenca njerëzore, ato mbetën një koncentrat i mesazhit që mbartin, në pjesën më të madhe nënvizuar me forcë nga gjesti piktorik, tribut ndaj prekjeve informale.

Në ekspozitën e tij të fundme duket se Golemi guxon edhe më. E ndërtuar si një kontrast “në letër” mbi subjekte të kundërta, ai eksperimenton sa mbi formën, aq dhe mbi strukturën, duke përdorur shirita të butë industrialë për të riprojektuar një nuancë shkëlqimi barok. Ashtu si para pak vitesh, kur imazhit të një grataçele kapriçoze i mbivendoste një rrjetë teli agresive, edhe këtë radhë, ai guxon i shpenguar në lidhjen e elementëve të ndryshëm.

Në kërkim të këtij sensibiliteti të ri, në dimensione gati monumentale ai zbulon një figuracion eklektik floreal, duke evokuar herë “le fleurs de Versailles” e herë një imazh abstrakt. Edhe pse në thellësi ato lindin si tribut ndaj një kulture shkëlqyese baroke, struktura mbajtëse e veprës së Golemit nuk e humb shenjën e vet identitare, të vrullshme e gjestuale. Me këtë riprezantim estetik e kapriçoz, vepra e tij ngjan me një soft sculpture ngjitur mbi sipërfaqe, me jehonë sa nga ekspresionizmi abstrakt i Pollokut, tek shkëlqimi metalik i skulpturave postmoderne.

Një thyerje të madhe në karrierën e tij prej tri dekadash, Golemi do ta servirte në ekspozitat e fundme “XXI” dhe “Different”, hapur respektivisht në Galerinë FAB në vitet 2014 dhe 2016. Aty, elementë të rinj e pak të prekur, theksuan tendencën e vrullshme ekspresive të tij mbi sipërfaqen e telajos, ngjyrën pastoze dhe markimin linear të subjekteve. Bashkë me to u evidentuan elementë të tjerë si ai i gërvishtjes së sipërfaqes së telajos, një tentativë e rinovuar për të shtuar ekspresivitetin e ngjyrës, apo elementëve ekstrapiktorikë, të jashtëm, si rrjeta metalike, të marra nga kantieret e ndërtimit. 

Siç shihet, i gjithë ky kërkim i gjatë mbi ngjyrën e formën konkretizohet natyrshëm në serinë e fundme “Folie baroque”, ku elementët ekstrapiktorikë bëhen edhe më të dukshëm, edhe më prepotentë. Tashmë materialet bruto të ndërtimit kanë marrë qendrën e kompozimit, për ta dominuar atë. Ato janë një objekt i ri estetik, një marrëdhënie e re mes sipërfaqes dhe formës, në shumë aspekte përtej pikturës, sa dhe të skulpturës. Nën këtë gjuhë të rinovuar sensoriale, Golemi edhe një herë propozon vetveten si për të konfirmuar se kufijtë mes formës dhe mediumeve janë thjesht barriera për t’u superuar.

Dr. Ermir Hoxha

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here